“I KËNDOJMË PAQES” ishte projekti risi që ndërmorrëm në Qershor-Korrik 2022 duke ndërthur solidaritetin, artin e humanizmin në ndihmë të fëmijëve të prekur nga lufta në Ukrainë të cilët strehohen tashmë në Shqipëri. Fëmijë të talentuar Shqiptar e Ukrainas u bashkuan për të dhuruar një shfaqje dedikuar paqes. Të gjithë një zëri! #tegjithenjezeri
Edhe pse fokusi ynë kanë qënë fëmijët të diagnostikuar me kancer në Shqipëri, misioni ynë në thelb është që tu vijmë në ndihmë sa më shumë fëmijëve në Shqipëri, por edhe jashtë saj.
Duke patur parasysh luftën në Ukrainë dhe pasojat e tmerrshme të saj për jetën e qytetarëve, duke përfshirë fëmijët, Organizata “Fëmijët për Fëmijët” organizoi një koncert në ndihmë të fëmijëve të prekur nga lufta në Ukrainë së bashku me spektaklin Gjeniu i Vogel, nën mbështetjen e Bashkia Tiranë, Ambasada e Ukrainës në Republikën e Shqipërisë, Sofra e Ariut dhe Credins Bank.
Duke angazhuar fëmijët artistë Shqiptar dhe Ukrainas si performuesit kryesor në këtë koncert, ky projekt përshtati në harmoni misionin e organizatës “Fëmijët për Fëmijët,” e cila ka ne thelb inkurajimin e vlerave edukative dhe humanitare ku vetë fëmijët ndihmojnë fëmijët, me dy misione të tjera po aq fisnike:
- Përçimi i një mesazhi solidariteti me fëmijët në Ukrainë, që iluminon se fëmijët në gjithë botën dhe veçanërisht fëmijët shqiptar, janë bashkë me fëmijët në Ukrainë.
- Mbledhja e fondeve për të ndihmuar në mënyrë financiare fëmijët që tashmë jo vetëm kanë humbur jetën e tyre normale, por edhe shtëpinë dhe çdo send të tyre personal dhe kërkojnë strehim në një vend të sigurt si Shqipëria.
Kontribute financiare u mblodhën në llogarinë bankare në Credins Bank: 00001714520.
Nëpërmjet zërave të fëmijëve Shqiptar e Ukrainas dhe zemërgjesisë suaj, arritëm të mblidhnim një shumë prej 198,500Lekë. Fondet e mbledhura u përdorën për të mbështetur 14 fëmijë nga 5 familje Ukrainase që dimri i gjeti në Shqipëri pa pritur për shkak të luftës. Këto familje i karakterizon një forcë dhe dëshirë për të vazhduar përpara përpos rrethanave, dhe na treguan se këmbëngulja për një jetë të mirë dhe dashamirësia nuk duhet të përulen përpara asnjë sfide, përfshirë një si lufta.
Falenderojmë të gjithë ata që dhuruan drejt kësaj kauze, si dhe të gjithë bashkëpunëtorët e projektit!